Ultramaratona “Arteria e Arbrit”
Të ecim së bashku me historinë…
Të ecim së bashku drejt historisë…
Ecim sot për historinë e djeshme…
Heronjtë sportivë dhe historia sot ecin së bashku…
Ultramaratonë në rrugën këmbsore: atje ku kanë shkelur karvanet e ku linjëzimet historike të antikitetit, konkurrojnë krah për krah me formacionet disi më të vona kohore, për të mbërritur tek mishërimi i tradicionales pranë një rruge të re moderne në ndërtim e sipër…
Lartësive, përmbi punimet që po bëhen në “Rrugën e Arbrit”, një sfidë e re mahnitëse, pritet të lindë nga Shoqata “Maratona, Albania”. Me 18-19 korrik 2020, do të garohet mbi gjurmët e këmbësorëve të karvaneve të hershëm. Nën ritmikën e hapave të sportistëve, do të sinkronizohen të ringjallura pulsacionet e kësaj arterie ballkanike me ridimensionime të jashtëzakonta nga historia më e moçme e lëvizjes ndërurbane. Në fokus do të vihet fragmenti Tiranë-Dibër e Madhe-Shkup, që në kujtesën historike shqiptare të “Rrugës së Arbrit”, veç lëvizjeve shekullore të udhëtarëve, rendit edhe shumë prej betejave të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Shkënderbeu… jehona e trokthit të kuajve të para 5-6 shekujve, ka ruajtur të njëjtën fizionomi në “Rrugën e Arbrit”: pasurim në rrafshin kulturor-historik, duke bashkuar lidhjet e trevave tona me kontinentin evropian, por edhe lidhjet ndërkontinentale mes Evropës e Azisë.
Do të shijohet ajri i bjeshkëve, duke admiruar peizazhet e një natyre që flet me gjuhën e mrekullisë (në lartësitë, tashmë të pashkeluara ngahera) mes pishave të blerta që ngjiten deri në kaltërsitë qiellore. Duke u njohur me qendrat e banuara por edhe me vendet që e ruajnë të freskët identitetin historik, do të përshkohet një itinerar mjaft interesant: Tiranë, Brar, Tujan, Zall-Dajt, Shupal, Zall-Bastar, Murrizë, Guri i Bardhë, Ura e Vashës, Plan i Bardhë, Fushë-Bulqizë, Lepurake, Valikardhë, Zerqan, Sopot, Strikçan, Gjoricë, Blladë, Dibër e Madhe.
Kështu, Shoqata “Maratona Albania”, gjatë këtyre ditëve, po e përgatit eventin sipas të gjitha nevojave, për t’iu siguruar pjesëmarrësve akomodimin, ndalesat e pushimet aktive, por edhe promovimin e një stili nxitës të shpirtit të garës.